Varfëria ekstreme / Vogëlushja feston për herë të parë ditëlindjen, fryn qirinjtë pas 8 vitesh

Programi “Dua të të bëj të lumtur” këtë herë kishte shkuar në Tropojë, në familjen e Zenunit dhe Bukuries. Ata ishin martuar në vitin 1996 dhe tashmë ishin prindër të 9 fëmijëve, por kushtet ekonomike të kësaj familjeje nuk ishin aspak të mira. Ata jetonin në varfëri ekstreme.

Fshati në të cilin ata jetonin ishte tepër larg dhe nuk kishte asnjë mundësi punësimi. Për këtë arsye ata mundoheshin të bënin çdo lloj punë vetëm për të fituar disa para. Varfëria e tejskajshme në këtë familje kishte bërë që ata shpeshherë të jetonin vetëm me lëmoshë dhe me gjëra të falura.

Nuk kishin lëvizur asnjëherë nga fshati i tyre dhe Bukuria kishte vite pa i takuar prindërit e saj që jetonin në Himarë. Madje kushtet ekonomike ishin kaq të vështira saqë asnjë nga fëmijët nuk e kishte festuar ditëlindjen një herë të vetme.

Për të bërë sadopak të lumtur fëmijët, motra e Bukuries, Zamira i ishte drejtuar programit “Dua të të bëj të lumtur”. Ajo në lot i tha:“Bukurije të kam sjellë në këtë program që ti të bëhesh sadopak e lumtur, sepse kurrë nuk ke qenë e lumtur. Edhe këta fëmijë e meritojnë të jenë të lumtur.”  

Por motra e Bukurijes nuk ishte surpriza e vetme e rezervuar për të. Arbana Osmani i kishte sjellë në studio prindërit dhe pas shumë vitesh, ata u takuan me vajzën e tyre. Surprizat nuk mbaruan këtu pasi vajza e vogël, Amarda kishte ditëlindjen dhe Arbana i kishte përgatitur një festë dhe për herë të parë në jetën e saj ajo fryu qiriun e tortës.

Gjithashtu i ftuar special për këtë familje ishte dhe idhulli i tyre, këngëtari Sinan Hoxha.