U largua në Afganistan me mision, djali i kërkon falje babait dhe i bën surprizën e jetës

Dashuria dhe mirënjohja e një djali ndaj babait të tij, ishte historia e rradhës që u trajtua në programin “Dua të të bëj të lumtur”. Nëntogeri i ushtrisë shqiptare, Beksi kishte vendosur të surprizonte babin e tij, Sabriun, duke i festuar në program 70 –vjetorin e lindjes.

Largimi i Beksit në mision drejt Afganistanit e kishte mërzitur shumë Sabriun, pasi ai mendonte që Beksi do të kishte të njëjtin fat të keq si kushëriri i tyre, dëshmori i atdheut kapiteni Fetih Vogli. Gjatë qëndrimit të Beksit në Afganistan ai qëndronte brenda në shtëpi dhe ndiqte edicionet e lajmeve për të mësuar më shumë rreth situatës atje.

“Ke qënë një idhull për mua, jam rritur me këshillat e tua, por ti u mërzite kur unë u largova  për në Afganistan. Tani është koha e kujtimeve për ty, të krijosh energji pozitive benda vetes për të ecur përpara dhe jo të qëndrosh i mbyllur. Gëzuar 70-vjetori babi”,– ishte ky mesazhi i Beksit, i cili e emocionoi Sabriun.

Pjesë e surprizës ishte edhe bashkëshortja, e cila i kërkoi të vallëzonin sëbashku. Arbana Osmani kishte rezervuar edhe një surprizë tjetër për të, këngëtaren e tij të preferuar, bilbilin e Shqipërisë së mesme, Artiola Toska.

Artiola iu drejtua Sabriut me këto fjalë: “Unë e dëgjova historinë tuaj dhe më preku shumë. Të uroj edhe 100 vite, me sa më shumë shëndet, lumturi dhe pranë të dashurve të tu. Të përgëzoj për këtë djalë që ke rritur, pasi është e rrallë në kohën e sotme të gjesh fëmijë si Beksi.”

Në fund Artiola i dhuroi Sabriut një buqetë me trëndafila të bardhë dhe një album me këngët e saj, pas performancës surprizë.