Përlotet Turjan Hyska, e ëma e surprizon në “Dua të të bëj të lumtur”

Shpeshherë në programin “Dua të të bëj të lumtur” kemi parë të trajtohen histori të forta, në të cilat kanë qenë të ftuar surprizë edhe mjaft personazhe publike. Ata kanë dhënë mbështetje morale dhe ekonomike, por shpesh herë janë bërë edhe vetë pjesë e surprizave të programit.

Historia e fundit që u trajtua në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte historia e moderatorit Turjan Hyska. Turin e kemi parë gjithmonë në ekran si një personazh të fortë e tepër karizmatik, por asnjëherë ai nuk e kishte rrëfyer jetën e tij.

Kur kishte qenë adoleshent, babai i Turit kishte ndërruar jetë dhe atij i ishte dashur që të kujdesej për mamanë dhe vëllanë e tij më të vogël.

Për ta falenderuar Turin për çdo gjë që ai kishte bërë për familjen, mamaja e tij kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur”. Gjatë bisedës që u zhvillua midis Turit dhe Arbana Osmanit, Turi u shpreh se ishte hera e parë në televizion që ai nuk dinte se kush e kishte ftuar dhe se çfarë e priste.

Në momentin që u lexua letra që mamaja i kishte shkruar Turit, ai u përlot. Më pas Turi rrëfeu edhe një pjesë të jetës së tij private që nuk e kishte treguar kurrë më parë.  Ai tha që: “Nuk kam dashur kurrë që jeta ime private të shfaqet në ekran, por dua të them që lufta për të jetuar mirë i bën ata që ndodhen sipër të jenë krenarë për ne. Depresioni dhe rënia nuk i shërben askujt, madje i lëndon më shumë ata që janë larguar. Për mua s’ka gjë më të shtrenjtë se familja”.

Përveç mamasë, Turin e surprizoi edhe vëllai i tij, Elio. Ai e falenderoi Turin që kishte shërbyer si model për të, që ndihmuar dhe i kishte qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj kohe.