Një ditë të tërë me Kidën për ‘shopping’, fansja e çmendur fiton mundësinë e artë 

Natën finale të programit “Dua të të bëj të lumtur” e hapi këngëtarja e famshme dhe tepër e dashur për të rinjtë, Kida. Ajo ishte e ftuar në program për të surprizuar disa nga fansat e saj më të çmendur.

Arbana Osmani kishte ftuar në studio një grup të madh vajzash ndër të cilat ishte dhe një djalë, i quajtur Fatos. Por vetëm ai/ajo që do të fitonte sfidat, do të kishte mundësinë që të kalonte një ditë me yllin e ri të adoleshentëve.

Arbana zhvilloi një pyetësor me fansat e Kidës, të cilët dhanë përgjigje të sakta në të njëjtën kohë dhe të gjithë kaluan në sfidën e radhës.

Një ndër sfidat e menduara ishte që të shënonin në tabelën e basketbollit. Asnjë prej fansave nuk ia doli dhe kështu të gjithë kaluan në sfidën tjetër. Ata duhet të kërcenin këngët e Kidës, për t’u zgjedhur në fund vetëm tre prej tyre që do të vazhdonin në sfidën tjetër. Këtë zgjedhje e bëri Kida.

Sfida e parafundit ishte realizimi i  make up-it të Kidës tek bukuroshet e “Grace Models”, të cilën e kaluan me sukses vetëm djali dhe një vajzë tjetër.

Sfida e fundit për dy fansat e mbetur ishte gjetja e varëses mbi të cilën shkruhej “Kidator”. Kjo varëse ishte e vendosur në një nga pulat që ndodheshin në skenë. Këtë sfidë e fitoi vajza, duke fituar kështu edhe mundësinë për të bërë ‘shopping’ me Kidën, në qendrën tregtare “Ring”.

 

Në fund Kida përformoi këngën e saj më të fundit, “Bileta” dhe të gjitha fansat që kishin ardhur në studio patën mundësinë që ta takojnë dhe të bëjnë foto me të.