Motra surprizon vëllain, i sjell në studio idhullin e tij Armando Sadiku

Dashuria dhe sakrificat e një motre për vëllain e saj u trajtuan mbrëmjen e sotme në  programin “Dua të të bëj të lumtur”. Kjo ishte historia e Izës dhe Xhuljos, të cilët jeta i kishte provuar me dhimbjen më të madhe. Para dy vitesh, mamaja e tyre ishte ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundjeje.

Gjatë kohës që mamaja e tyre luftonte për jetën Iza ishte përkujdesur për vëllain e saj Xhuljon. Sakrificat e Izës kishin qënë të shumta, madje në një moment ajo kishte ndërprerë edhe shkollën për t’i qëndruar pranë atij.

Për t’i treguar Xhuljos se sa i rëndësishëm ishte për të dhe për t’i kthyer sadopak buzëqeshjen, ajo e kishte ftuar në programin “Dua të të bëj të lumtur”.

Iza i premtoi Xhuljos që ajo do t’i qëndronte gjithmonë pranë dhe se ai nuk ishte vetëm pasi kishte atë, babain dhe një ëngjëll që do të kujdesej gjithmonë për të.

“Ti je drita e syve të mi, unë të dua shumë, nuk di si të ta shpërblej që më ke rritur”, – u shpreh Xhuljo.

Iza i kërkoi atij që të mbante disa premtime, të cilat shkaktuan të qeshura edhe tek publiku. Surpriza që Arbana Osmani kishte menduar për Xhuljon ishte futbollisti Armando Sadiku, të cilin ai e kishte idhull.

Armando iu drejtua Xhuljos me këto fjalë: “Ke një motër që të do shumë dhe më ka treguar që të pëlqen shumë futbolli. Duhet të kesh shumë vullnet dhe të stërvitesh përditë që të bëhesh një lojtar i zoti. Për këtë gjë të uroj shumë suksese”.

Ai gjithashtu i dhuroi Xhuljos fanellën e Kombëtares me emrin e tij.