Balerina e njohur i uron babait ditëlindjen në mënyrën më të bukur

Natën e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” u trajtua një histori suksesi e cila kishte si bazë mirënjohjen e një vajze ndaj babait të saj. Kjo ishte historia e balerinës së njohur të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Lori Bala.

Ajo kishte ftuar në program babain e saj, Xhevdetin për t’i uruar 70-vjetorin e lindjes dhe për ta falenderuar për gjithçka që ai kishte bërë për të.

Në studio Lori rrëfeu se babai i saj kishte ëndërruar gjithmonë që të ishte një balerin, por për shkak të një dëmtimi, ëndrra e tij ishte ndërprerë. Por që në fëmijëri Xhevdeti kishte transmetuar tek Lori ëndrrën e tij, e kishte mbështetur, i kishte qëndruar pranë që ajo të bëhej balerina e sukseshme që ne njohim sot.

Ndonëse e emocionuar dhe e përlotur, Lori iu drejtua babait të saj me këto fjalë: “Më ke qëndruar gjithmonë pranë, më ke bërë gjithmonë të lumtur. Sot mendova të të bëj unë të lumtur, meqë ti ke 70-vjetorin e lindjes. Të faleminderit që ekziston”.

Xhevdeti u shpreh duke thënë se Lori ka qenë gjithmonë një fëmijë i shkathët dhe tepër e talentuar. Gjithashtu ai shtoi që i kishte qëndruar pranë në çdo moment sepse ky profesion kërkonte tepër punë dhe përkushtim.

Momenti që e emocionoi babain ishte letra e Lorit në të cilën shkruhej: “Ti gjithmonë do të jesh mbreti im dhe dua të them që do të ta kushtoj ty çdo hap që do të hedh deri ditën e fundit, sepse pa ty nuk do të isha kjo që jam sot”.